Imami i Qabesë, Shejh Bandar Baleela, në një vizitë zyrtare në Kosovë

Para 11 muaj

Imami i Qabesë së shenjtë në Mekë, Shejh Bandar Baleela, ka mbërritur sot për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ai është pritur me nderime nga Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava.

Vizita e tij përkon me mbajtjen e Garave Kuranore Ndërkombëtare në Prishtinë, ku Shejh Baleela do të jetë mysafir nderi dhe do të nderojë me praninë e tij 150 garues nga 22 shtete të ndryshme. Këto gara përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme fetare në rajon dhe pasqyrojnë përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave shpirtërore dhe kulturore islame.

Gjatë qëndrimit të tij, Shejh Bandar Baleela do të vizitojë edhe monumente me rëndësi historike, fetare dhe kombëtare në vend, përfshirë objekte të trashëgimisë islame si dhe vende që pasqyrojnë historinë dhe identitetin e popullit shqiptar.

Vizita e një prej figurave më të larta fetare nga Arabia Saudite shihet si një moment i veçantë për komunitetin mysliman në Kosovë, si dhe një dëshmi e lidhjeve në rritje ndërmjet institucioneve fetare islame në nivel ndërkombëtar.