Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka paralajmëruar për rreziqet që sjellin temperaturat e larta gjatë periudhës së verës, veçanërisht për grupet më të ndjeshme të popullsisë si fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë, të moshuarit dhe punëtorët.
Sipas IKShPK-së, rreziku është më i madh për ata që punojnë në ambiente të hapura, si bujqësia, pylltaria, ndërtimtaria, pastrimi dhe mirëmbajtja e hapësirave publike, si dhe punonjësit e shërbimeve emergjente.
Po ashtu, punëtorët në ambiente të mbyllura që përballen me nxehtësi të madhe, kryejnë punë fizike të rënda, ose përdorin pajisje mbrojtëse në kushte të nxehta, janë gjithashtu në rrezik.
IKShPK-ja thekson rëndësinë e masave mbrojtëse për parandalimin e efektit negativ të nxehtësisë në shëndet gjatë punës.
