IKShPK: Ngritje e manganit në ujin nga Liqeni i Badocit, qytetarët të mos e pijnë ujin

Para 7 muaj

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar për një rritje të vlerave të manganit në zonën që furnizohet me ujë nga Liqeni i Badocit, duke paralajmëruar qytetarët që të mos e përdorin ujin për pije deri në një njoftim të dytë.

Sipas IKShPK-së, analizat laboratorike tregojnë një tendencë në rritje të përqendrimit të manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës. Edhe pse këto vlera tejkalojnë kufirin e lejuar administrativ, ende nuk e kalojnë nivelin që paraqet rrezik të drejtpërdrejtë shëndetësor, thuhet në njoftim.

“Uji mund të përdoret vetëm për pastrim dhe higjienë, jo për pije. Vlimi nuk e eliminon manganin,” paralajmëron IKShPK.

KRU “Prishtina” ka ndërmarrë masat emergjente:

  • Zvogëlim të sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë;
  • Shpëlarje intensive të rrjetit shpërndarës;
  • Furnizim me autobotë në zonat e prekura sipas një orari të përcaktuar.

Zonat e prekura përfshijnë:

Graçanica dhe fshatrat përreth, Hajvalia, Veterniku, Lagjja 038, Qëndresa Home, Swiss Village, Çagllavica, Preoci, pjesë të Bregut të Diellit, dhe zona të tjera në Prishtinë si Matiçan, Kodrina, Albi Mall, e deri te shkolla Ismail Qemali dhe konviktet studentore.