Identifikohen tre viktima të luftës, rivarrimi më 27 shkurt në Klinë

Para 2 muaj

Janë identifikuar mbetjet mortore të tre viktimave të luftës: Bali Pajazit Gashi, Fadil Shaban Elezaj dhe Masar Ymer Dushi, të cilët ishin në Listën e Personave të Zhdukur. Identifikimi është bërë së fundmi përmes analizës shkencore të ADN-së.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njofton se mbetjet e tyre janë zhvarrosur nga varreza masive në Bishtazhin.

Sipas njoftimit, rivarrimi do të bëhet më 27 shkurt 2026 në Klinë, sipas kërkesës së familjarëve. Ceremonia organizohet nga Komuna e Klinës, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Agjenda e ceremonisë:

  • 11:30 – 12:30 Homazhe në Shtëpinë e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, Klinë
  • 13:00 – Akademi Përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”
  • 14:00 – Rivarrimi në Varrezat e Dëshmorëve, Kodra e Kuqe – Zajm, Klinë

Komisioni u ka shprehur ngushëllime familjeve dhe ka riafirmuar përkushtimin për zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.