I tërhequr zvarrë nga ujku në oborr – fëmija 5-vjeçar në gjendje stabile

Para 11 muaj

Një fëmijë pesëvjeçar nga fshati Brod i Shtërpcës ka mbetur i lënduar pasi u sulmua dhe u kafshua nga një ujk. Ngjarja u raportua fillimisht nga Klan Kosova, duke cituar burime të gazetares Arbreshë Uka.

Sipas Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), fëmija u pranua dje në Klinikën Emergjente të QKUK-së me lëndime në gjoks dhe shpinë. Familjarët kanë treguar se gjatë sulmit, ujku e tërhoqi zvarrë fëmijën për disa metra nga oborri i shtëpisë.

Pas trajtimit fillestar dhe ekzaminimeve të nevojshme, fëmija është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, ku po vazhdon trajtimin. Gjendja e tij aktualisht është stabile, por ai do të qëndrojë për disa ditë në klinikë për monitorim të mëtejshëm.

SHSKUK njoftoi se janë dhënë vaksinat përkatëse sipas protokollit dhe është përfshirë edhe një Psikolog Klinik, për të ofruar mbështetje emocionale për fëmijën pas traumës së përjetuar.