I riu nga Vitia gjendet i vdekur pranë urës së Kaçanikut – Policia dyshon për vdekje të dyshimtë, jo aksident trafiku

Para 10 muaj

Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në autostradën “Arbën Xhaferi”, ku një i ri është gjetur pa shenja jete pranë lumit, afër urës së Kaçanikut. Viktima është identifikuar si I.H., 26-vjeçar nga Vitia.

Sipas raportimeve të televizionit Klan Kosova, policia është njoftuar për rastin rreth orës 13:15 nga një qytetar. Fillimisht ishte dyshuar për një aksident trafiku që mund të kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit, rreth orës 05:00, në afërsi të fshatit Bob, Komuna e Kaçanikut.

Mirëpo, pas daljes në vendin e ngjarjes dhe kryerjes së ekzaminimeve fillestare nga njësitet e Trafikut të Autostradës dhe hetuesit përkatës, është konstatuar se vdekja e të riut nuk ka ardhur si pasojë e aksidentit.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar gjithashtu hetues nga stacioni policor në Kaçanik, Hetimet Rajonale dhe Forenzika Rajonale. Prokurori për krime të rënda nga Prokuroria Themelore e Ferizajt është njoftuar dhe ka autorizuar që rasti të trajtohet si “Hetim mbi vdekjen”.

Policia ka njoftuar se janë duke vazhduar hetimet dhe se informacione shtesë do të bëhen publike pas përfundimit të ekzaminimeve nga njësitë hetimore.

Kjo ngjarje ka tronditur opinionin publik, ndërsa familjarët e viktimës dhe banorët lokalë presin me ankth zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë vdekje të dyshimtë.