I dyshuari për spiunazh Bojan Jevtiq para gjykatës në Prishtinë

Para 9 muaj

Bojan Jevtiq, i dyshuar për spiunazh, është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku do të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit.

Jevtiq është arrestuar nën dyshimet se ka transferuar informacione dhe sekrete shtetërore tek agjencitë serbe, njofton Telegrafi.

Ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar armë, para të gatshme dhe dokumente të dyshimta.

Prokuroria Speciale njoftoi se gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale, përfshirë dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër, municion, si dhe para të gatshme në vlerë prej 10,000 euro, 2 milionë dinarë serbë dhe 600 franga zvicerane. Këto prova do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.

Ndërkaq, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e togerit policor që ka shërbyer si shef i operativës në policinë kufitare në pikën e kalimit kufitar “Dheu i Bardhë”.