Hykmete Bajrami shpërthen ndaj Muratit: Keni shkatërruar vendin, tani po mashtroni publikun!

Para 10 muaj

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është përgjigjur ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, pas deklaratës së tij se nëse Kuvendi nuk konsolidohet deri në shtator, Kosova rrezikon të humbasë 90 milionë euro.

Bajrami e ka akuzuar Muratin për dezinformim publik, duke theksuar se bllokada politike është duke u shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila, sipas saj, po ngul këmbë në një kandidate për kryetare Kuvendi pa i pasur votat e nevojshme.

“Mos provo t’ia hedhësh fajin të tjerëve për krizën që vetë e keni krijuar dhe po e zgjatni,” ka shkruar Bajrami në një reagim publik.

Ajo ka kritikuar gjithashtu qasjen e qeverisë ndaj fondeve evropiane, duke e akuzuar Muratin për paaftësi në ratifikimin e një kredie dhe duke përmendur qindra miliona euro në grante të BE-së që, sipas saj, Kosova nuk ka mundur t’i shfrytëzojë për shkak të masave ndëshkuese ndaj qeverisë.

Bajrami ka përmendur konkretisht një grant prej 70 milionë eurosh për KEK-un, i cili është bllokuar për shkak të mungesës së bashkëpunimit me BE-në, ndërsa ka akuzuar qeverinë për dështim të përhershëm dhe arrogancë në qeverisje.