Hykmete Bajrami: Mosdalja në votime është protestë qytetare, partitë duhet të reflektojnë

Para 6 ditë

Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka falënderuar qytetarët që mbështetën LDK-në në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se pjesëmarrja e ulët në votime duhet të merret si një mesazh i rëndësishëm nga klasa politike.

Përmes një reagimi publik, Bajrami tha se mosdalja në votime përbën një formë proteste qytetare dhe një thirrje për reflektim e llogaridhënie. Sipas saj, partitë duhet të analizojnë arsyet që kanë çuar vendin në një situatë ku zgjedhjet po përsëriten pa arritur stabilitet institucional.

Ajo shtoi se është koha që politika të mendojë përtej interesave partiake dhe posteve, duke u fokusuar te nevojat dhe pritjet e qytetarëve.

Pa asnjë dyshim, shumë qytetarë ndëshkuan partinë që kishte 51 për qind, e cila e keqpërdori,  përbuzi dhe nuk e zbatoi vullnetin e popullit. Njëkohësisht, edhe neve na thanë qartë se duhet më shumë punë, më shumë seriozitet dhe më shumë përkushtim që të na shohin si zgjidhje”.

“Secili e ka kuptuar se tri palë zgjedhje u mbajtën jo për shkak të mospajtimeve: nëse duhet të prodhojmë apo të importojmë energji, jo sepse nuk u pajtuam për programe zhvillimore, por sepse tema qendrore u bë: kush ku do të ulet. Përfundimisht, është koha të mendojmë përtej karrigeve”, ka shkruar ajo.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është më shumë se një palë zgjedhje, më shumë se një rezultat dhe më shumë se një episod politik, andaj duhet reflektim i thellë për tu rikthyer më e fortë. Faleminderit!”.