Hykmete Bajrami akuzon Qeverinë Kurti: “Po përkrahin mafien energjetike, po shkatërrojnë prodhimin vendor”

Para 11 muaj

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë Kurti dhe deputetëve të VV-së, duke i akuzuar për përkrahje të “mafies energjetike” dhe për braktisje të bizneseve vendore në kohën kur ato po përballen me rritje ekstreme të faturave të energjisë elektrike.

Sipas saj, liberalizimi i tregut të energjisë po ndodh në mënyrë të pamenduar dhe në kurriz të rreth 1300 bizneseve, të cilat raportojnë rritje të çmimeve të energjisë deri në 260%. Ajo thotë se kërkesa e thjeshtë e bizneseve për ta shtyrë këtë vendim për një vit është injoruar nga qeveria.

“Një metal përpunuesi, te i cili rryma është 30% e kostos së prodhimit, këta i thonë ta izolojë ndërtesën dhe të ngrohë ujin me vokë. Kaq dinë këta,” – ka shkruar Bajrami në një reagim në Facebook.

Deputetja ka theksuar se në mungesë të konkurrencës në treg, liberalizimi është i dëmshëm dhe se pasojat do t’i bartin qytetarët përmes rritjes së çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm.

Ajo ka përmendur edhe një metamorfozë të qeverisë Kurti, nga “duaje tënden” në “shkatërro tënden dhe blej nga importi”, duke kujtuar qëndrimet e mëhershme të VV-së për mbrojtjen e prodhimit vendor dhe kundërshtimin e importit nga Serbia.

Në përfundim, Bajrami njoftoi se nesër (21 maj) në ora 14:00, do të mbahet një takim me shoqatat e biznesit, ZRRE-në, Autoritetin e Konkurrencës dhe KESCO-n për të diskutuar rreth pasojave të liberalizimit pa konkurrencë reale dhe keqinterpretimit të ligjit për energjinë.