Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kujtuar sot 5-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit më 4 shtator 2020, duke e cilësuar atë si një “arritje historike për Kosovën” dhe njëkohësisht një “mundësi të humbur”.
Sipas tij, marrëveshja përfaqësonte një hap të madh drejt forcimit të marrëdhënieve me SHBA-në dhe shndërrimit të Kosovës në një nyje strategjike infrastrukturore dhe energjetike në rajon. Ai veçoi si të rëndësishme edhe njohjen nga Izraeli, që rezultoi nga kjo marrëveshje.
Hoti kritikon qeverinë aktuale për moszbatimin e projekteve madhore të dakorduara në këtë marrëveshje, si ndërtimi i autostradave, lidhjet hekurudhore, gazsjellësi dhe projekte të tjera të mbështetura nga SHBA.
Në një listë të gjatë, ai përmendi punët që ishin nisur gjatë qeverisë së tij, përfshirë bashkëpunimin me DFC-në, projektet për energjinë, 5G, diplomacitë, sigurinë dhe të drejtat fetare.
“Për fat të keq, marrëveshja u neglizhua nga qeveria pasuese. Sot, pas pesë vitesh, edhe ata që e quajtën tradhti kombëtare, e pranojnë rëndësinë e saj strategjike”, deklaroi Hoti.
