Hoti: Kuvendi nuk është konstituuar, LVV-ja ka qasje bllokuese

Para 7 muaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka folur për krizën politike dhe vonesat në formimin e institucioneve të reja.

Ai thotë se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar pasi nuk është kompletuar kryesia e legjislativit edhe me zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, ani pse kryeparlamentari Dimal Basha ka mbyllur seancën konstituive.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, ku ua ndalon çfarëdo veprimi deputetëve si dhe nisjen e procedurave për formim të qeverisë së re.

Kushtetuesja mori këtë vendim pas ankesës së Listës Serbe.

“Po besoj që një jurist me dije minimale në fushën e ligjshmërisë kushtetuese e sheh që Kuvendi nuk është i konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetarët e Kuvendit. Tani, arsyet pse nuk janë zgjedhur nënkryetarët e Kuvendit janë të tjera, pra duhet të diskutohen veçmas, por si fakt – Kuvendi nuk është i konstituuar. Ekziston, pra, sepse është qartësisht e cekur që Kuvendi konstituohet kur zgjidhen edhe kryetari edhe nënkryetarët e Kuvendit… Që nga dita e parë, qëllimi i partisë që ka dalë e para në zgjedhje ka qenë bllokimi i institucioneve, jo themelimi i institucioneve të reja. Kur e kanë parë që askush nuk dëshiron të punojë me ta. Atëherë, i vetmi qëllim ka qenë të gjejnë arsye për të bllokuar institucionet. Siç ndodhi – pesëdhjetë e sa seanca me radhë të Kuvendit janë mbajtur në mënyrë jokushtetuese, me insistimin e kryesuesit të përkohshëm të Kuvendit, pra të grupit të parë parlamentar. Kur Gjykata Kushtetuese e qartësoi që aty ka pasur shkelje kushtetuese dhe se duhet t’i kthehemi rendit të ditës së paraparë, mandej u bë një veprim faktik nga njëra prej partive, duke votuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Por tash, partia që ka dalë e para, ka hyrë në makinacione të tjera për të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, ka deklaruar Hoti për Kosovapress.

Duke marrë parasysh vonesat në formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, si dhe polarizimin partiak, Hoti e sheh si të pamundur krijimin e një shumice parlamentare.

Andaj, ai kërkon një dialog ndër-partiak për të parë sesi të ecet tutje, qoftë edhe me zgjedhje të reja.

“Rrethanat që janë krijuar pas gjithë këtyre muajve, unë nuk shoh se si mund të formohet një shumicë parlamentare. Po duket që janë shteruar të gjitha mundësitë për të formuar shumicë parlamentare. Është keq që nuk ka gatishmëri nga partia që ka dalë e para në zgjedhje për të dalë publikisht e për t’u thënë qytetarëve se nuk e ka fituar shumicën. Sigurisht që në një situatë të tillë nuk ka aftësi, nuk ka mundësi që të krijojë shumicën për ta udhëhequr vendin, dhe mandej të hapet rruga për dialog ndërpartiak – se si të ecet përpara. Ne e kemi dhënë një opsion që në muajt e parë pas zgjedhjeve, kur u pa që nuk ka gatishmëri nga asnjëra parti për të punuar me të në formimin e qeverisë së re. E kemi propozuar edhe një opsion të një qeverie të përkohshme deri në pranverë, derisa të vijë koha e zgjedhjes së presidentit. Një opsion që nuk është pranuar. Tani ngërçi është thelluar më shumë. Kaosi institucional është thelluar më shumë, me pasoja shumë të mëdha për vendin”, ka thënë ai.