Kolonel Tahir Zemaj, luftëtari i njohur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u vra pabesisht më 4 janar 2003, së bashku me të birin. Vajzat e tij nuk e patën kurrë mundësinë ta njihnin, por dhimbja dhe malli për të jetojnë çdo ditë, veçanërisht sot, në ditëlindjen e tij.
Në këtë ditë të veçantë, vajza Fortuna ndan mesazhin e saj të ndjerë:
*Gëzuar ditëlindjen, babi.
Edhe pse nuk patëm fatin të të njohim mirë, mungesa jote na ka shoqëruar gjithë jetën. Ishim vetëm tre vjeçe kur u largove, por prania jote ka jetuar gjithmonë në zemrat tona.
Shpesh mendojmë se si do të kishte qenë jeta jonë me ty pranë, çfarë do të na kishe mësuar dhe si do të na kishe mbrojtur. Edhe pse nuk kemi kujtime, të ndiejmë gjithmonë afër.
Sot, në ditëlindjen tënde, duam të dish se vajzat e tua, Fortuna dhe Florenta, janë rritur, janë bërë të forta dhe përpiqen çdo ditë të jetojnë me dinjitet. Shpresojmë që të jesh krenar për ne.
Të duam dhe do të të duam gjithmonë. Pushofsh në paqe, babi.
Fortuna Tahir Zemaj*
