Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka komentuar letrën e fundit të kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar atë si një mesazh që përmban “edhe dashuri, edhe urrejtje”.
Në një intervistë për emisionin Rubikon, Haziri tha se LDK ka qenë gjithmonë një forcë politike që ka bashkëpunuar me të gjithë, ndërsa theksoi se të gjitha partitë e tjera kërkojnë të kenë koalicion me Lidhjen Demokratike.
“Letra ka dashuri edhe urrejtje, ka mujtë me kalu pa e përmend, pa i nënvizu episodet e caktuara. LDK ka hyrë në koalicione. Ne kemi bashkëpunuar me të gjithë dhe të gjithë kanë punuar me ne. Për dallim prej nesh, të gjithë kërkojnë të bashkëpunojnë me ne. Të gjitha ato që kanë pasur përvojë bashkëpunimi, kërkojnë prapë. Ne, siç duket, e kemi për rol politik me shkaktu procese,” u shpreh Haziri.
Ai komentoi gjithashtu gjuhën që, sipas tij, kryeministri Kurti ka përdorur gjatë fushatës zgjedhore, duke e cilësuar atë si linçuese dhe negative.
“Gjuha ka qenë e ashpër, fushata ka qenë shumë negative. Është cilësuar dhe targetuar edhe lideri, edhe subjekti politik. Ne jemi kujdesur, kemi qenë superpozitivë, nuk kemi përdorur gjuhë të tillë. Jemi në një situatë ku nuk shlyhet shumë lehtë krejt kjo që është krijuar,” shtoi Haziri.
