Haziri: Kushtëzimet e Qeverisë, jo dallimet, pezulluan Dialogun Strategjik me SHBA-në

Para 7 muaj

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj pezullimit të Dialogut Strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke fajësuar qasjen e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për këtë zhvillim.

Haziri theksoi se nuk janë dallimet, por kushtëzimet nga ana e Qeverisë së Kosovës ato që kanë çuar në këtë situatë, duke paralajmëruar se pezullimi mund të ketë pasoja të rënda, përfshirë rrezikimin e fondeve të Mileniumit.

“Tendenca mediale me manipulu këtë raport të kushtëzuar që qeveria amerikane e ka me Kurtin dhe me disa eksponentë të qeverisë së tij, nuk e amniston,” shkroi Haziri në një postim në rrjetet sociale, transmeton Klan Kosova.

Ai theksoi se pavarësisht zhvillimeve të fundit, marrëdhëniet e SHBA-së me popullin e Kosovës mbeten të pakushtëzuara dhe të paprekshme.

“Ne do të vazhdojmë të jemi gardianë të ruajtjes së marrëdhënieve me qeverinë amerikane dhe të jemi falënderues e mirënjohës deri në fund për atë që kanë bërë tash e 35 vjet dhe 35 vitet e ardhshme besoj se do të zhvillohen edhe më shumë,” shtoi ai.

Pak ditë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, pas deklaratave të Kryeministrit Kurti ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilat u cilësuan si ndërhyrje në pavarësinë e institucioneve.