Haziri: Jo 19, por 20 vota ia japim Memli Krasniqit – por duhet të jemi realistë

Para 9 muaj

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij do t’i japë jo 19, por 20 vota kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, për formimin e një shumice të re parlamentare. Por, sipas tij, kjo nuk mjafton pa një qasje më të gjerë dhe më të koordinuar.

Duke folur në emisionin Rubikon, Haziri u shpreh se duhen llogaritur të gjitha votat e deputetëve të LDK-së, edhe ato që mund të jenë kundër, por në fund vendimi është kolektiv. “Jo 19, po 20 vota. Nuk duhet me nda vullnetin e një deputeti që e ka votën kundër për diçka – ne duhet të llogarisim në të gjithë”, theksoi ai.

Haziri iu përgjigj kështu deklaratës së mëparshme të Memli Krasniqit, i cili kishte thënë se “nëse LDK i jep votat, pjesën tjetër e sigurojmë vetë” – duke aluduar në mundësinë e krijimit të një shumice parlamentare nga partitë opozitare.

Sipas Hazirit, megjithatë, kjo qasje duhet të jetë më racionale dhe realiste, duke pasur parasysh se as bashkimi i votave të opozitës aktuale nuk e garanton shumicën.

“Nuk ka vullnet për bashkëpunim për të dalë nga kjo situatë nga partia e parë [LVV]. Të tjerët janë të pamjaftueshëm për të vepruar në emër të partisë së parë”, tha ai.

Ai shtoi se pritshmëritë që partia e dytë (PDK) të marrë mandatin nga presidentja për krijimin e qeverisë janë natyrale, por jo të garantuara.

“Presidentja nuk e jep mandatin sy mbyllur. Ajo ia jep atij që dëshmon se e ka shumicën – qoftë kjo partia e dytë apo e tretë”, deklaroi Haziri.

Ky debat vjen në një kohë kur skena politike në Kosovë është në lëvizje dhe diskutimet për një shumicë të re qeverisëse po intensifikohen, pas kritikave të vazhdueshme ndaj qeverisjes aktuale dhe kërkesave për zgjedhje të reja.