(E plotësuar, ora 12:30) Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, i caktuar për sot në orën 12.00, ende nuk ka filluar. Vazhdimi i seancës konstituive do të jetë kjo përpjekja e tretë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të këtij institucioni ligjvënës.
Pak para mesdite u mbajt takim konsultativ i përfaqësuesve të partive politike. Pas takimit, Albulena Haxhiu nga VV pas takimit konsultues me krerët e partive ka thënë se partitë politike janë dakorduar për votimin e raportit të verifikimit të mandateve të deputetëve.
“Si përfundim edhe nga ky takim konsultativ, u dakorduam të gjithë pa asnjë dallim se e vetmja mënyrë se si mund të dalim nga kjo situatë është nëse votojmë të gjithë deputetët e grupeve parlamentare për raportin. Për këtë u pajtuan edhe subjektet e tjera. VV nuk do të votojë si subjekt i vetëm politik për raportin në mënyrë që t’ua verifikojmë mandatet deputetëve. Kjo s’do të ndodh edhe sot. Por uroj që dakordimin që e kemi pasur sot, t’u përmbahen subjektet politike”, ka thënë ajo. Haxhiu ka thënë se pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe mundësitë për zgjedhjet e reja. “Këtu janë përmendur edhe datat e zgjedhjeve. Kryetari i PDK-së ka përmendur datën 15 qershor si datë të mundshme për të shkuar në zgjedhje. Edhe për këtë duhet të ketë dakordim ndërmjet subjekteve politike”, ka thënë ajo te holli i Kuvendit.
“Aty kemi diskutuar format se cila është mënyra më e mirë për të dalë nga bllokada e shkaktuar nga opozita. Kemi përmendur disa çështje si vendimi i Kuvendit për mos verifikimin e mandateve të deputetëve është vendim i paprecedentë dhe në rrethana normale ata që kanë refuzuar mandatin e tyre, do të duhej të zëvendësoheshin me deputetët e tjerë që janë në rradhë dhe kanë fituar më së shumti vota”, ka thënë ajo.
Edhe Mimoza Kusari Lila ka thënë se janë dakorduar që të gjithë që raporti të votohet për.
“Pas saj tërhiqet komisioni dhe bëhet verifikimi. Vetëm në rastin kur ai raport kthehet me votat unanime të të gjithë përfaqësuesve të grupeve parlamentare për dhe në favor të verifikimit të mandateve, edhe ne do të votojmë për”, ka thënë ajo.
Dehari fton për konsulta përfaqësuesit e partive, reagojnë PDK e LDK
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, i ka ftuar përfaqësuesit e partive politike në një takim konsultativ për në orën 11:30, për t’u dakorduar paraprakisht se si të shkohet tutje me konstituimin e Kuvendit
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, i ka ftuar përfaqësuesit e partive politike në një takim konsultativ për në orën 11:30, për t’u dakorduar paraprakisht se si të shkohet tutje me konstituimin e Kuvendit. Ftesën për takim e ka konfirmuar për RTK-në, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka
PDK-ja dhe LDK-ja kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
Dehari kishte vepruar ngjashëm edhe të enjten. Vetëm se ai ftoi përfaqësuesit e partive në takim pasi nisi seanca.
Seanca konstituive sot është caktuar për të tretën herë. Seanca dështoi të martën dhe të enjten.
Kurti nuk flet para gazetarëve
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve. Kaloi në heshtje, tek hynte në objektin e Kuvendit, pak para seancës konstituive.
Subjektet politike, LVV, PDK, LDK, AAK fajësuan njëra – tjetrin për bllokim të institucioneve.
Krasniqi: Dehari të mos bie nën ndikimin e manipulimeve partiake
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për konstituimin e Kuvendit dhe ka kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që të mos ndikohet nga, siç i quajti ai, manipulimet partiake.
“E ftoj kryesuesin të mos bie nën ndikimin e manipulimeve partiake dhe ta luajë rolin e tij si i pari në mesin e barabartë, ashtu siç e përcakton Rregullorja e Kuvendit, dhe ta hedhë në votim raportin për verifikimin e mandateve. Skenari ka qenë kështu, edhe sot duhet të jetë kështu”, theksoi Krasniqi.
Ai bëri thirrje për avancimin e procesit të formimit të institucioneve të reja, duke kërkuar që të gjithë deputetët të marrin pjesë në votim.
Ai kritikoi vendimin e Deharit për të thirrur sërish konsultime, të cilat sipas tij bien jashtë kompetencave të tij.
“Përsëri sot ka ftuar konsultë jashtë kompetencave të tij, siç i ftoi para dy ditësh por megjithatë ne për të treguar se jemi të interesuar për të ecur para jemi në takim konsultativ dhe në ora 12:00 t’i hidhet në votim dhe të ecet tutje”, theksoi ai.
Abdixhiku: Kryesuesi i seancës ta respektojë skenarin e Kuvendit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, po vepron sipas skenarit të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërsa, i ka bërë thirrje që ta respektojë procedurën siç parashihet.
Ai ka shtuar se janë të hapur për konsultime, siç ka paralajmëruar presidentja, derisa ka theksuar se “është për turp çfarë po ndodh deri tani”.
“Është me interes kombëtar që institucionet e Kosovës të formohen e të nis betimi i deputetëve. Ftoj të respektohet Kushtetuta dhe procedura. Shpresoj që kryesuesi i kësaj seance, që rastis të jetë më i vjetri e që rastis të jetë nga partia e parë, të respektoj skenarin e Sekretariatit të Kuvendit e jo skenarin e partisë. Nëse në Kuvend veprojmë me skenarë të partisë, kemi thyer rendin kushtetues. Ka një skenar të përgatitur nga Kuvendit të cilin ne e respektojmë”.
Abdixhiku u shpreh se LDK-ja do të votojë kundër raportit për verifikimin e mandateve derisa qeveritarët nuk kanë dorëzuar dorëheqjet.
Haradinaj i gatshëm ta votojë raportin për verifikimin e mandateve
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i gatshëm ta votojë raportin e ri për verifikimin e mandateve. Ai ka thënë se nuk ka arsye që Kuvendi të mbetet i bllokuar në këtë pikë.
“Jam për me votu, nëse arrihet unitet brenda deputetëve, brenda opozitës, unë jam për votu. Nuk ka arsye me mbet e bllokume dhe e me u vonu prapë. Qëllimi i opozitës është mos me pengu ecjen përpara të konstituimit të seancës. Për detaje mos të bëhem zëdhënës i krejt opozitës, por po besoj që do të mbështesim ecjen përpara”, ka thënë Haradinaj.
Limaj: Shpresoj që deputetët ta votojnë raportin
Fatmir Limaj nga NISMA para seancës konstituive ka thënë se shpreson se deputetët ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve. Ai nuk iu përgjigj gazetarëve nëse ka koalicion me VV-në.
“Po shpresoj që Parlamenti i Kosovës, deputetët të votojnë drejtëne tyre – të verifikojnë atë që e ka votuar qytetari i Kosvoës – secili duhet ta kryejë detyrëne vetë, këtë cështje teknike dhe shpresoj që këtë ta bëjë secili dhe të filloj funksionaliteti dhe funksionimi i institucioneve”.
Berisha thotë se do ta përkrahin konstituimin e Kuvendit
Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha ka deklaruar se do ta përkrahë konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se do të përkrahë verifikimin e mandateve të deputetëve. Ndërsa, sa i përket formimit të Qeverisë, ai tha se ende nuk kanë ndonjë vendim.
Vazhdon sot seanca konstituive, fillon në orën në 12:00
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot do të vazhdojë seanca konstituive, me fillim nga ora 12:00. Ky do të jetë vazhdimi i tretë i seancës konstituive, e cila dy herë radhazi dështoi të finalizohet pasi raporti i Komisionit për Verifikim mandatesh herën e parë s’ka marrë vota mjaftueshëm dhe herën e dytë s’është hedhur fare në votim.
Kryesues në këto seanca është deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Avni Dehari, i cili është më i vjetri, kurse bashkëkryesuese është deputetja e zgjedhur Sala Jashari nga PDK-ja si deputete me re.
Sekretari i partisë LVV-së që ka fituar numrin më të madh të ulëseve, Alim Rama i ka thënë RTK-së se me kërkesën për një takim konsultativ mes partive politike, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, pritet ta vazhdojë seancën e konstituimit të Kuvendit në tentativën e tretë, pas dy dështimeve.
“Tash kjo procedurë nuk është paraparë me rregulloren e Kuvendit, dhe ne mendojmë se duhet një konsultim me partitë e tjera, që të përcaktojmë rrugën përpara. Çdo mënyrë tjetër ka krijuar një pasiguri, sepse nuk jemi dakorduar as për raportin ekzistues, as për ngritjen e një komisioni tjetër verifikues të mandateve”, ka thënë ai.
Megjithatë, Rama ka deklaruar se mbeten të hapur për çdo diskutim dhe e quajti kërkesën për dorëheqje absurde.
Ftesën për takimin konsultativ, PDK, LDK dhe AAK e kanë quajtur jashtë mandatit të kryesuesit, duke iu referuar deputetit më të vjetër, Avni Dehari.
Të tria këto parti janë betonuar në qëndrimet e tyre se nuk mund të votohet raporti i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve pa dhënë dorëheqje kryeministri dhe ministrat nga postet ekzekutive, sepse, sipas tyre, nuk mund të kesh një pozitë ekzekutive dhe njëkohësisht të betohesh si deputet.
Njohës i zhvillimeve politike, Albinot Maloku, tha se Lëvizja Vetëvendosje është e detyruar të gjejë një zgjidhje bazuar në rezultatin zgjedhor.
“Në të dy tentimet ka pasur mungesë të vullnetit nga të dyja palët, por përgjegjësia për zgjidhje mbetet mbi partinë që i ka fituar zgjedhjet, për të iniciuar procedurat për konstituimin e plotë të Kuvendit”, ka thënë Maloku.
Tri partitë, LDK, PDK dhe AAK, kundërshtuan që seanca të kthehet në pikën zero, duke kërkuar që të vazhdohej me votimin e raportit që verifikon mandatet e deputetëve, por Lëvizja Vetëvendosje mbajti qëndrimin se nuk mund të votohet një raport që ka dështuar të miratohet.
Emri i kandidatit për kryekuvendar, tha sekretari i Vetëvendosjes, dihet, por se nuk është momenti për ta thënë publikisht.
