Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka dalë me deklarata të forta lidhur me bllokadën e Kuvendit dhe rolin e Qeverisë aktuale. Në një intervistë për “Politiko” në Kanal 10, Hasani tha se situata është alarmante dhe duhet të adresohet urgjentisht nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas tij, Gjykata duhet të veprojë ndaj deputetëve që vazhdojnë të mbajnë postet qeveritare edhe pas betimit në Kuvend. “Unë më së pari do t’i anuloja të gjitha mandatet e atyre që janë certifikuar, kanë bërë betimin si deputetë dhe po i mbajnë zyrat. Qeveria në detyrë nuk janë më – kjo s’është asgjë tjetër përveçse uzurpim i pushtetit”, tha Hasani.
Ai shkoi edhe më larg, duke e cilësuar kryeministrin Kurti dhe ministrat aktivë si “uzurpatorë”, ndërsa vendimet e tyre i quajti “me pasoja penale”. “Në aspektin kushtetues, janë uzurpatorë pa diskutim. Vendimet që po marrin janë shpërdorim i detyrës – kjo është vepër penale”, theksoi Hasani.
Ai vlerësoi se Gjykata Kushtetuese duhet të ndërhyjë menjëherë, pasi bllokimi i konstituimit të Kuvendit pas shtatë seancave është cenim serioz i rendit kushtetues.
