Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka refuzuar të komentojë deklaratat e fundit të liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, lidhur me një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
“S’kam ndonjë koment, s’po më kujtohet asgjë… A keni ndonjë pyetje tjetër, kjo nuk është diçka relevante. Çdo gjë që lidhet me këta është e kaluar. Jemi para parlamentit. Jemi në bllokim të seancës,” tha Haradinaj para mediave.
Ai shtoi se Aleanca është angazhuar për të ndihmuar në tejkalimin e bllokadës politike që ka kapluar Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Sikurse e dini, ne në takt tonin si Aleancë i kemi dhënë dy zgjidhje që mos të mbetemi të bllokuar siç kemi mbetur tash e sa kohë. Së pari kemi dhënë mundësinë të votojmë një kandidat të LVV-së, por që na bashkon me votë, kemi dhënë emra. Po ashtu, e kemi bërë edhe një veprim të dytë. Që kemi drejtuar gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të dalim nga kjo gjendje…”, u shpreh Haradinaj.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 9 shkurtit, AAK dhe Nisma garuan së bashku në një koalicion parazgjedhor, por tani duket se kanë ndasi në qasjen ndaj bashkëpunimit me LVV-në.
