Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nëse opozita nuk arrin një marrëveshje për krijimin e shumicës së re parlamentare, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Duke folur në emisionin Debat Plus, Haradinaj tha se ekziston një potencial teorik që opozita të formojë qeverinë, pasi aktualisht ka 52 deputetë shqiptarë opozitarë – katër më shumë se Lëvizja Vetëvendosje (VV). Megjithatë, sipas tij, një marrëveshje e tillë ende nuk është arritur.
“Pa një kontratë të qartë mes partive opozitare, rruga e vetme është që presidentja Vjosa Osmani të shpallë zgjedhjet e reja,” theksoi Haradinaj.
Ai komentoi edhe raportimet se VV ka mbledhur nënshkrimet e deputetëve të saj, duke thënë se kjo është një lëvizje taktike për të siguruar që deputetët e partisë të mos mbështesin ndonjë kandidat tjetër nga opozita.
Sipas Haradinajt, pas dështimit të mandatarit të parë, çdo kandidat i ri për kryeministër duhet të dëshmojë se ka shumicën prej 61 deputetësh, pasi mandati nuk mund të jepet më vetëm në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të kaluara.
