Hapet aplikimi për mbështetje financiare për studentët në eKosova

Para 6 muaj

Ministri i në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se është hapur aplikimi për mbështetje financiare për studentët, përmes platformës eKosova, nën shërbimin “Familja”.

 

Në njoftim Ministri ka sqaruar mënyrën e aplikimit.

Te Shtesa e njëhershme prej 100 euro të drejtë aplikimi kanë studentët aktivë të të gjitha niveleve – Bachelor, Master dhe Doktoratë – që ndjekin studimet në universitetet publike dhe private të akredituara në Kosovë.

Ministri Murati ka theksuar se të gjitha të dhënat duhet të plotësohen saktë dhe pa gabime, pasi në të kundërtën aplikimi do të refuzohet.

Afati i fundit për aplikim është fundi i muajit tetor, ndërsa pagesat do të realizohen me grupe dhe sipas radhës së aplikimit.

Kurse për bursën e Mobilitetit të Studentëve mund të aplikojnë studentët e nivelit Bachelor, të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe studiojnë në ndonjërin nga universitetet e akredituara në vend.

Kusht për përfitim është që të ardhurat vjetore bruto të familjes së studentit të mos jenë më shumë se 12,000 euro.

Edhe në këtë rast, aplikimi kërkon saktësi maksimale në plotësimin e formularëve, për të shmangur refuzimin.

Murati ka bërë thirrje që studentët të aplikojnë sa më parë dhe të përfitojnë nga kjo mbështetje financiare, e cila synon të lehtësojë barrën ekonomike gjatë studimeve.