Hamas jep përgjigje pozitive për armëpushim, liderët botërorë mirëpresin hapin drejt paqes në Gaza

Para 10 muaj

Grupi palestinez Hamas ka dhënë një përgjigje pozitive ndaj një pjese të planit për armëpushim në Gaza të propozuar nga SHBA-ja, duke u shprehur i gatshëm të pranojë disa pika të dokumentit 20-pikësh dhe të rinegociojë të tjerat.

Ky zhvillim është mirëpritur nga liderët botërorë, të cilët e kanë cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt paqes dhe lirimit të pengjeve.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u bëri thirrje të gjitha palëve ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t’i dhënë fund konfliktit tragjik në Gaza. Presidenti turk Erdogan e quajti përgjigjen e Hamasit “një hap konstruktiv dhe të rëndësishëm”, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz tha se kjo është “mundësia më e mirë për paqe” që nga fillimi i konfliktit.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni theksuan nevojën për armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin e të gjithë pengjeve, ndërsa kryeministri kanadez Mark Carney dhe lideri britanik Sir Keir Starmer bënë thirrje për zbatim të menjëhershëm të marrëveshjes.

Presidenti amerikan Donald Trump, përmes rrjeteve sociale, e cilësoi këtë si “një ditë të madhe për Lindjen e Mesme”, duke thënë se Izraeli duhet të ndalojë bombardimet në mënyrë që të shpëtohen pengjet dhe të ecet drejt paqes së përhershme.

Në deklaratën e saj zyrtare, Hamas tha se pas konsultimeve me udhëheqësinë, fraksionet palestineze dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, ka vendosur të mbështesë pikat kyçe të planit, përfshirë ndalimin e okupimit, lirimin e të burgosurve dhe hyrjen urgjente të ndihmës humanitare.

Kjo përgjigje erdhi pak orë pas afatit të vendosur nga Trump, i cili kishte paralajmëruar pasoja të rënda nëse nuk pranohej plani deri të dielën në orën 18:00, sipas kohës së Uashingtonit.