Gucati thotë se po dorëzojnë dokumente në 22 ambasada, kundërshtojnë Hagën

Para 10 muaj

Një ditë pas protestës që mblodhi mijëra qytetarë si shenjë pakënaqësie ndaj procesit gjyqësor në Hagë, përfaqësuesit e OVL – UÇK dhe organizatave të dala nga lufta kanë mbajtur konferencë për media.

 

Kryetari i OVL – UÇK, Hysni Gucati, ka thënë se kanë pasur dhe do të kenë takime me 22 ambasada dhe përfaqësuesit e BE-së, për të përçuar kërkesat e tyre për sipas tyre, padrejtësive që po bëhen në Gjykatën Speciale.

“Të gjithë ambasadorët që jemi takuar na kanë thënë se këto dokumente që i keni dorëzuar do t’i dërgojmë në qeveritë e vendeve tona. Ata e financojnë shumë Gjykatën Speciale dhe kanë thënë se do t’i shpërfaqin pakënaqësitë tona. Këtë fushatë që kemi bërë ne është dashur ta bënte Qeveria dhe jo ne si organizata jo-qeveritare”, ka thënë Gucati.

Mijëra qytetarë dje janë mbledhur në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së dhe si kundërshtim për procesin gjyqësor të tyre. Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha dje gjatë protestës se Gjykata Speciale po tenton të ndryshojë narrativën e luftës së Kosovës. Ai theksoi se veteranët nuk do të lejojnë ndryshimin e historisë. Gucati gjithashtu tha se më veteranët nuk kanë besim në këtë gjykatë.

Njëri ndër ish-themeluesit e UÇK-së, Ali Ahmeti, tha se kombi ynë historikisht ka qenë i bashkuar kur i është rrezikuar identiteti dhe dinjiteti.