Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka komentuar praninë e përbashkët të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, në një ndeshje basketbolli mes ekipeve Trepça dhe Bashkimi.
Në një konferencë për media, Gruda theksoi se ky takim nuk duhet të interpretohet si zhvillim politik. Sipas tij, Hamza ka vepruar në përputhje me normat e protokollit, duke qenë nikoqir i ngjarjes dhe duke u ulur pranë kryeministrit.
“Ky është një takim rastësor dhe nuk ka asnjë konotacion politik. Ishte një ngjarje sportive, dhe si nikoqir, Hamza e kishte për detyrë të ulej afër kryeministrit, siç e kërkon edhe protokolli,” deklaroi Gruda.
Ai u bëri thirrje mediave dhe opinionit publik që të mos japin interpretime të panevojshme për një rast që, sipas tij, nuk ka sfond politik.
