Gruaja e zhdukur për 63 vjet në Wisconsin gjendet e gjallë dhe e shëndoshë

Para 11 muaj

Një histori e pazakontë ka tronditur opinionin publik në SHBA, ku një grua e zhdukur prej gati 63 vitesh është gjetur e gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Audrey Backeberg ishte vetëm 20 vjeçe kur u zhduk më 7 korrik 1962 nga shtëpia e saj në qytetin e vogël Reedsburg, në shtetin e Wisconsin. Rasti i saj ishte trajtuar si një zhdukje misterioze për dekada me radhë.

Por sipas një deklarate nga Sherifi i Qarkut Sauk, Chip Meister, hetimet e fundit kanë zbuluar se largimi i saj ishte bërë me dëshirë dhe se nuk kishte asnjë element kriminal në prapaskenë.

“Ajo u largua me zgjedhje të saj dhe ka jetuar jashtë shtetit të Wisconsin”, tha sherifi, pa dhënë detaje të mëtejshme për vendndodhjen apo jetën që ka ndërtuar gjatë këtyre viteve.

Autoritetet kanë konfirmuar identitetin e saj, por për të mbrojtur privatësinë e saj, nuk janë bërë publike më shumë informacione.