Aktivistja për klimën Greta Thunberg iu bashkua një flote anijesh të ngarkuara me ndihma për Gazën, ndërsa ato u nisën nga Barcelona të dielën, me qëllim thyerjen e bllokadës detare të Izraelit dhe dërgimin e ushqimit dhe furnizimeve të tjera humanitare në Gaza.
Mijëra mbështetës u mblodhën në portin e Barcelonës për të përcjellë anijet, shumë prej tyre duke valëvitur flamuj palestinezë dhe duke brohoritur “Liri Palestinës” dhe “Nuk është luftë, është gjenocid”.
“Ky është një mision për të sfiduar sistemin ndërkombëtar jashtëzakonisht të dhunshëm, që sillet si zakonisht, i cili nuk po arrin të mbështesë ligjin ndërkombëtar”, i tha Thunberg turmës para nisjes së flotiljes me dhjetëra anije, të cilave do t’u bashkoheshin edhe të tjera gjatë rrugës.
Aktivistja suedeze u përpoq pa sukses të thyente bllokadën detare të Gazës që Izraeli e ka vënë prej kohësh duke lundruar drejt territorit në qershor me aktivistë të tjerë. Forcat izraelite sekuestruan anijen e tyre të vogël me ndihma dhe ata u deportuan nga Izraeli.
Izraeli ka argumentuar se bllokada e vendosur në vitin 2007 është e nevojshme për të ndaluar kontrabandën e armëve për grupin militant Hamas dhe i ka përshkruar përpjekjet e tjera për ta thyer atë – përfshirë atë të Thunberg në qershor – si një marifet propagande në mbështetje të Hamasit.
