Një 44-vjeçar ka raportuar në polici se është sulmuar dhe grabitur nga persona të panjohur sot në mëngjes, rreth orës 07:45, në dalje të autostradës në fshatin Duhel të Suharekës.
Sipas policisë, viktima po drejtonte një automjet të tipit “kombi”, që transportonte postë private, kur u ndalua nga disa persona të armatosur që nën kërcënim i morën disa zarfa të mbyllur, të cilët dyshohet se përmbanin para.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, konfirmoi për IndeksOnline se viktima nuk ka pësuar lëndime fizike, ndërsa shuma e parave të grabitura nuk dihet, pasi zarfat kanë qenë të mbyllur.
“Policia ka reaguar menjëherë dhe ka nisur hetime intensive. Dyshohet se grabitësit ishin disa persona të armatosur që janë larguar me një veturë ‘Golf’,” tha Bytyqi.
Policia po vazhdon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kësaj grabitjeje të armatosur.
