Goditet rrjeti i lojërave të fatit të paligjshme – 14 të arrestuar dhe mijëra euro të sekuestruara në Prishtinë

Para 11 muaj

Prishtinë, 20 maj 2025 – Policia e Kosovës ka realizuar një aksion të gjerë për goditjen e veprimtarive të jashtëligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe lojërave të fatit, në disa lokacione të Rajonit të Prishtinës.

Operacioni, i cili ka nisur më 25 prill, pas pranimit të informatave të besueshme për zhvillimin e aktiviteteve të tilla të kundërligjshme, është zhvilluar në vazhdimësi dhe, sipas Policisë, ka rezultuar tejet i suksesshëm.

Gjatë këtij aksioni janë inspektuar 75 lokacione të ndryshme, përfshirë shtëpi, lokale afariste dhe objekte përcjellëse. Në 25 prej tyre janë kryer kontrolle të detajuara, ndërsa 7 lokale janë mbyllur nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe nga inspektoratet komunale, për shkak të mungesës së dokumentacionit dhe licencave të nevojshme për veprimtari afariste.

Si rezultat i operacionit:

  • Janë iniciuar 10 raste penale;

  • Janë arrestuar 14 persona, të dyshuar për përfshirje në aktivitetet e paligjshme;

  • 7 prej tyre janë ndaluar me masë mbajtjeje prej 48 orësh, ndërsa 7 të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndaj të dyshuarve rëndojnë akuza për vepra të ndryshme penale, përfshirë organizim të lojërave të fatit, posedim të paautorizuar të substancave narkotike, armëmbajtje pa leje, si dhe kultivim dhe shpërndarje të narkotikëve.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar:

  • 13 aparate për lojëra të fatit;

  • 1 armë automatike AK-47, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe 1 boks metalik;

  • Pajisje laboratorike për përpunimin e substancave narkotike;

  • Sasi e dyshuar narkotikësh të paketuar në qese plastike;

  • 2,726 euro para të gatshme;

  • 2 laptopë, 1 printer, 1 çantë me çipa dhe 15 palë letra bixhozi;

  • 3 telefona të dyshuar për përdorim në pagesa online për bastore sportive.

Policia ka bërë të ditur se operacioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim të çrrënjosjes së plotë të këtij aktiviteti të jashtëligjshëm.