Florida, SHBA – Glen Rogers, 62 vjeç, i njohur ndryshe si “Vrasësi Kazanova”, u ekzekutua mbrëmjen e kaluar me injeksion vdekjeprurës në burgun shtetëror të Floridës, pranë qytetit Starke, pas gati tri dekadash në radhën e të dënuarve me vdekje.
Rogers ishte dënuar për vrasjen brutale të Tina Marie Cribbs, një nënë 34-vjeçare e dy fëmijëve, e cila u gjet e pajetë në një dhomë moteli në Tampa në vitin 1995. Ai u arrestua pak ditë më vonë në Kentucky, duke drejtuar makinën e viktimës. Përveç Cribbs, Rogers u shpall fajtor edhe për vrasjen e Sandra Gallagher në Kaliforni, gjithashtu në vitin 1995. Të dyja gratë ai i kishte njohur gjatë daljeve të natës.
Pak para se të ekzekutohej, Rogers u shpreh: “President Trump, vazhdo ta bësh Amerikën të madhe. Jam gati të shkoj.” Këto ishin fjalët e tij të fundit, sipas raportimeve të NBC News.
Gjatë viteve në burg, Rogers pretendoi se kishte vrarë më shumë se 70 gra, megjithatë, autoritetet arritën ta lidhin vetëm me dy raste konkrete. Ai madje deklaroi se kishte qenë i përfshirë në vrasjen famëkeqe të Nicole Brown Simpson dhe Ron Goldman në vitin 1994, por policia e Los Angeles-it i hodhi poshtë këto pretendime si të pabazuara.
Historia e tij kriminale u kthye edhe në subjekt filmi, ku aktorja Mena Suvari interpretoi rolin e Nicole Brown Simpson.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, firmosi urdhrin për ekzekutimin e tij muajin e kaluar, pasi apeli i fundit i Rogers u refuzua. Ai u shpall zyrtarisht i vdekur në orën 18:16 me orën lokale.
