Një qytetar nga Peja, i cili kishte urdhër gjyqësor për t’u dërguar në Qendrën Rehabilituese në Shtime për shkak të problemeve psikike, nuk është pranuar nga ky institucion. Burime të besueshme të gazetës Insajderi bëjnë të ditur se personi në fjalë është kthyer në Pejë, ku ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në vetura duke gjuajtur me gurë.
Sipas burimeve brenda sistemit të drejtësisë, vendimi i Gjykatës ishte lëshuar të premten dhe ekzekutimi i tij ishte në duart e Policisë së Kosovës. Megjithatë, kur personi është dërguar në Shtime, ai nuk është pranuar nga qendra për arsye ende të panjohura zyrtarisht.
“Gjykata ka urdhëruar të premten me e dërgu në Shtime një person për shkak të problemeve psikike. Por, aty nuk është pranu dhe kur është kthyer ka ba dëme të mëdha në vetura, ka gjujt me gurë. Përgjegjësi penale nuk ka, prandaj nuk është arrestuar,” ka thënë burimi për Insajderin.
Rasti ngre shqetësime serioze lidhur me funksionimin e zinxhirit institucional – nga sistemi gjyqësor, institucionet shëndetësore, e deri te siguria publike. Mospranimi i personit nga Qendra Rehabilituese ngre pikëpyetje nëse ekzistojnë kapacitete adekuate për trajtimin e rasteve të tilla dhe si veprohet kur këto urdhra nuk mund të zbatohen.
Ndërkohë, qytetarët në Pejë mbetën të rrezikuar për shkak të mungesës së një përgjigjeje të duhur ndaj një personi që paraqiste rrezik për rendin dhe sigurinë publike.
Institucionet kompetente nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare lidhur me rastin.
