Gjykata shpall të pafajshëm këngëtarin Gjiko lidhur me akuzën për dhunim

Para 10 muaj

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot të pafajshëm këngëtarin e njohur Asdren Gjikolli, i njohur me emrin artistik Gjiko, lidhur me akuzën për dhunim që ishte ngritur ndaj tij.

Burime të sigurta brenda sistemit të drejtësisë kanë bërë të ditur se Gjikolli është liruar nga të gjitha pikat e aktakuzës, me arsyetimin se nuk ka pasur prova të mjaftueshme që e lidhin atë me veprën penale për të cilën ishte hetuar dhe gjykuar.

Mbrojtja e Gjikollit është udhëhequr nga avokati Kujtim Kerveshi, një emër i njohur në botën juridike në Kosovë dhe më gjerë. Kerveshi njihet për përfaqësimin e rasteve të ndërlikuara dhe profileve të larta, si dhe për çmimet ndërkombëtare që ka fituar në fushën e avokatisë.

Rasti kishte tërhequr vëmendje të madhe publike dhe kishte ngjallur debat në opinion. Përfaqësuesit ligjorë të këngëtarit kishin mohuar vazhdimisht akuzat dhe kishin kërkuar drejtësi për klientin e tyre.

Me këtë vendim, Gjikolli është shpallur i pafajshëm, ndërsa mbetet të shihet nëse Prokuroria do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm ligjorë.