Gjykata e Apelit i jep të drejtë Komunës së Prishtinës: Rruga drejt shndërrimit urban të qytetit vazhdon

Para 9 muaj

Gjykata e Apelit e Kosovës ka anuluar vendimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore, duke e kthyer për rishqyrtim çështjen që lidhet me shndërrimin e një rruge në shesh publik në kryeqytet. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili e ka cilësuar këtë si një konfirmim ligjor të drejtësisë së veprimeve të Komunës.

“Ky vendim vërteton se kemi vepruar në përputhje me ligjin dhe interesin publik. E kemi thënë dhe e përsërisim: qytetet moderne nuk ndërtohen mbi ndotje, zhurmë e privilegje të vjetra, por mbi parimin se qyteti i takon këmbësorëve, jo makinave”, ka thënë Rama.

Sipas tij, ky projekt është pjesë e një strategjie afatgjatë për zhvillim urban të qëndrueshëm, përmirësim të cilësisë së jetës dhe mbrojtje të mjedisit, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

“Reduktimi i ndotjes së ajrit nuk është luks, por çështje e shëndetit publik. Hapja e qytetit për këmbësorët nuk është vetëm estetikë – është siguri dhe barazi sociale”, ka shtuar ai.

Në fund, Rama theksoi se Komuna do të vazhdojë me qetësi dhe vendosmëri drejt transformimit urban, duke respektuar ligjin dhe interesin e përgjithshëm, ndërsa kritikoi ata që, sipas tij, po tentojnë ta bllokojnë këtë zhvillim: “Koha e bllokadave të jashtligjshme mbi kurrizin e qytetit po perëndon.”