Gjuriq: Kosova nuk do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, Serbia ka mbështetjen e aktorëve kryesorë të BE-së
Përfaqësuesi i përhershëm i Serbisë në Uashington, Marko Gjuriq, ka deklaruar se Kosova nuk do të arrijë të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, duke theksuar se Serbia ka mbështetjen e disa prej aktorëve më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian.
Në një prononcim për mediat, Gjuriq është shprehur se “Presidenti Aleksandar Vuçiq ka ndërtuar marrëdhënie të ngushta me liderë evropianë si presidenti francez Emmanuel Macron dhe me qeverinë e ardhshme gjermane, gjë që reflektohet në mbështetjen që Serbia gëzon në këtë proces.”
Ai shtoi se Serbia do të vazhdojë të lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke e konsideruar këtë si shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë dhe të marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë–Beograd.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur Kosova është në pritje të një vendimi përfundimtar lidhur me kërkesën e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
