Gjithçka që ndodhi nga krimi i rëndë brenda familjes me shtetësi turke në Prizren, babai dyshohet për vrasjen e vajzës 15-vjeçare

Para 1 vit

Një rast i rëndë i vrasjes brenda familjes ka ndodhur të martën rreth orës 05:30 në rrugën “Shote Galica” në Prizren, ku një shtetas turk dyshohet se ka vrarë vajzën e tij 15-vjeçare dhe ka plagosur anëtarë të tjerë të familjes.

Sipas të dhënave të Prokurorisë Themelore në Prizren, i dyshuari – babai i vajzës – dyshohet se me një mjet të mprehtë ka privuar nga jeta vajzën e tij, e cila ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Po ashtu, është lënduar edhe vajza tjetër rreth moshës 10-vjeçare, e cila është dërguar në QKUK dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Lëndime trupore ka pësuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit, ndërsa vetë ai është vetëlënduar dhe ndodhet nën mbikëqyrje policore.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, drejtues të Policisë Rajonale të Prizrenit, krim-teknika dhe zyrtarë të IML-së, të cilët po zhvillojnë procedurat hetimore.

Kryeprokurori Kryeziu ka konfirmuar se bëhet fjalë për shtetas të huaj që kanë banuar në Kosovë për rreth gjashtë muaj dhe se ndaj të dyshuarit nuk ka pasur hetime të mëparshme.

Rasti ka nxitur reagime të shumta publike, përfshirë edhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e quajti ngjarjen një krim të patolerueshëm që duhet ndëshkuar me ashpërsinë më të madhe të ligjit.

“Dhuna, në çfarëdo forme, është e papranueshme. Fëmijët kanë të drejtën e patjetërsueshme të jetojnë të sigurt dhe të mbrojtur,” deklaroi Haxhiu, duke shtuar se rastet e tilla janë alarm për gjithë shoqërinë dhe kërkojnë përgjigje të menjëhershme institucionale.

Ministrja, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, shprehu ngushëllime për familjarët dhe uroi shërim të shpejtë për vajzën e mbijetuar.

Sipas saj, institucionet janë angazhuar për trajtimin urgjent të rastit dhe për ofrimin e mbështetjes së nevojshme për viktimat.