Gjilan: Tejkaloi rrezikshëm përmes trotuarit, shoferi gjobëitet dhe njoftohen autoritetet zvicerane

Para 9 muaj

Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa ndaj një shoferi të automjetit Audi S6 me targa të Zvicrës (TG), i cili më 24 korrik 2025 kreu një tejkalim të rrezikshëm përmes trotuarit në zonën e një udhëkryqi në Gjilan, duke vënë në rrezik sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

Sipas Policisë, tejkalimi u bë në mënyrë të paligjshme, në kundërshtim me Ligjin për rregullat e trafikut rrugor. Ngjarja u dokumentua edhe përmes pamjeve filmike të publikuara nga qytetarët dhe mediat në rrjetet sociale, të cilat ndihmuan në identifikimin e shoferit.

“Njësiti rajonal i komunikacionit rrugor në Gjilan ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme duke identifikuar vozitësin ndaj të cilit ka shqiptuar gjobë, sipas legjislacionit në fuqi,” thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjoba do t’i përcillet autoriteteve përkatëse në Zvicër për trajtim të mëtejmë, në bazë të marrëveshjes ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit zviceran për bashkëpunim në rastet e kundërvajtjeve të kryera në territorin përkatës.

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë Rajonale në Gjilan, ka rikonfirmuar përkushtimin për garantimin e sigurisë rrugore dhe ka inkurajuar qytetarët që të raportojnë sjelljet e rrezikshme në rrugë përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”, në e-mailin zyrtar [email protected], apo përmes numrave 192 dhe 038 5080 7001.