Gjysmëfinalja e Big Brother VIP Albania 4 nuk kaloi pa emocione të forta dhe tensione të papritura. Ajo që dukej si një moment i zakonshëm eliminimi, u kthye në një prej çasteve më të përfolura të këtij edicioni.
Pasi Joz Marku dhe Loredana Brati u eliminuan dhe po linin shtëpinë e famshme, një përplasje fizike ndodhi mes Jozit dhe Gjestit – një moment i papranueshëm për një format që promovon bashkëjetesën dhe përballjen përmes debatit, jo dhunës.
Në vend që ta shfrytëzonte këtë incident për të përfituar emocionalisht nga publiku, Gjesti, i cili më pas u shpall edhe fitues i këtij edicioni, zgjodhi heshtjen. Në Post Big Brother, ai e mbylli me një fjali të prerë: “U kry çdo gjë. Nuk dua t’i jap asgjë. Hiç, hiç”.
Kjo qasje e matur dhe e distancuar nga zhurma dhe drama i bëri shumë shikues ta shohin si një strateg i heshtur – një lojtar që e kuptoi lojën, por nuk ra pre e provokimeve.
Për disa, kjo ngjarje ishte pika që vulosi fitoren e tij. Për të tjerët, ishte prova që Gjesti kishte ditur si të ruante dinjitetin edhe në çaste të vështira.
