Gjermania i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë për zbatim të marrëveshjeve dhe përmbajtje nga tensionet

Para 9 muaj

Gjermania ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë pa vonesa të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe të shmangin çdo veprim apo deklaratë që mund të rrisë tensionet.

Kjo thirrje vjen pas një takimi të zhvilluar dy ditë më parë mes Emisarit të BE-së, Peter Sorensen, dhe Ministrit të Shtetit të Gjermanisë, Gunther Krichbaum. Në deklaratën zyrtare, Krichbaum ka theksuar mbështetjen e Berlinit për dialogun Kosovë–Serbi si rrugë drejt paqes dhe stabilitetit në rajon.

“I inkurajoj të dyja vendet që të angazhohen sërish plotësisht në procesin e dialogut. Kjo përfshin mundësimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurt për negociatorët dhe ekipet e tyre, si dhe përmbajtjen nga deklarata publike provokuese. Gjermania është e gatshme të mbështesë të dyja vendet në një proces të qëndrueshëm dhe paqësor të normalizimit,” deklaroi Krichbaum.

Në të njëjtën deklaratë, Qeveria gjermane shprehet e shqetësuar për zhvillimet e fundit, përfshirë arrestimin e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe, si dhe të Igor Popoviçit, zëvendësdrejtor serb, në Kosovë.

“Çdo masë e privimit nga liria duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale. Ne presim që Serbia të sigurojë zbatim të duhur të procedurave ligjore, të respektojë të drejtat themelore dhe të garantojë një proces gjyqësor të drejtë – në përputhje me Marrëveshjen për Drejtësinë nga Dialogu”, thuhet më tej në deklaratë.

Në fund, Krichbaum ka ritheksuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet një kusht themelor për këtë rrugëtim.

“Dialogu dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë shtylla të një BE-je të fortë,” përfundon deklarata.