Gjermanët të lodhur nga taksat – 482 miliardë euro ekonomi në hije

Para 9 muaj

Berlin, korrik 2025 – Ekonomia më e madhe e Evropës po përballet me një sfidë të heshtur, por gjithnjë e më të dukshme: rritjen e ekonomisë së padeklaruar, e njohur ndryshe si “ekonomia hije”.

Sipas një studimi të fundit të profesor Friedrich Schneider nga Universiteti Johannes Kepler në Linz, për vitin 2024 ekonomia e padeklaruar në Gjermani ka arritur në 482 miliardë euro, ose 11.1% të PBB-së, niveli më i lartë në pothuajse një dekadë. Parashikimet për vitin 2025 janë edhe më shqetësuese – me një rritje të mëtejshme prej 6.1%, që do ta çonte vlerën në 511 miliardë euro.

Ky aktivitet përfshin kryesisht shërbime legale, si pastrim shtëpish, riparime makinash apo punë teknike, por që kryhen pa deklarim dhe pa pagesën e taksave apo kontributeve shoqërore.

“Rebelim tatimor” i heshtur

Profesor Schneider e përshkruan këtë fenomen si një formë reagimi ndaj barrës së lartë tatimore dhe cilësisë së dobët të shërbimeve publike në Gjermani. “Kemi të bëjmë me një lloj rebelimi tatimor nga qytetarët e zakonshëm, të cilët nuk kanë qëllim evazionin masiv, por kërkojnë të shmangin padrejtësitë në sistem,” thotë ai.

Infrastruktura e amortizuar, transporti i ngadaltë dhe vonesat në administratë kanë ndikuar negativisht në moralin tatimor, duke shtyrë gjithnjë më shumë njerëz drejt sektorit informal.

Një sfidë për politikën gjermane

Rritja e kësaj ekonomie “në hije” paraqet një kërcënim serioz për të ardhurat shtetërore, për stabilitetin e sistemit social dhe për konkurrencën e ndershme në treg.

Gjermania nuk është rasti më ekstrem – vende si Rumania (30%) dhe Greqia (22%) e kalojnë ndjeshëm – por rritja në një ekonomi kaq të zhvilluar ngre shqetësime të thella për politikbërësit.

Ekspertët sugjerojnë se përmirësimi i shërbimeve publike, transparenca në administrim dhe riformësimi i sistemit tatimor mund të jenë rrugëdalje nga kjo krizë e padukshme.