Gjakovë: Mbi 24 mijë gjoba në trafik dhe mbi 1 mijë patentë të pezulluara deri në korrik

Para 9 muaj

Policia e Kosovës ka publikuar statistikat për sigurinë në komunikacion nga data 1 janar deri më 14 korrik 2025, duke bërë të ditur se janë shqiptuar gjithsej 24,115 gjoba për kundërvajtje në trafik, ndërsa janë pezulluar 1,002 patentë shoferi ndaj drejtuesve që kanë rrezikuar sigurinë publike.

Në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë theksohet se përveç masave ndëshkuese, janë zhvilluar edhe aktivitete parandaluese dhe edukuese, përfshirë ligjërata në shkolla me qëllim ndërgjegjësimin e nxënësve për sjellje të sigurta në rrugë.

“Si rezultat i këtyre aktiviteteve, aksidentet në trafik kanë shënuar rënie të ndjeshme në të gjitha kategoritë, përfshirë ato me pasoja fatale, me lëndime trupore dhe me dëme materiale”, thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë, numri i përgjithshëm i aksidenteve është ulur për 24%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe të planifikuara, duke vënë theks të veçantë në edukim, ndërgjegjësim dhe zbatim të ligjit për të garantuar siguri për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.