Hematuria nuk është gjithmonë shenjë alarmi, por kërkon vëmendje mjekësore për të përcaktuar shkakun.
Hematuria është termi mjekësor që përshkruan praninë e gjakut në urinë – një shenjë që shpesh ngjall frikë, por që mund të jetë pasojë e shumë gjendjeve të ndryshme, jo gjithmonë serioze.
Në shumicën e rasteve, gjaku është i dukshëm me sy të lirë dhe urina merr ngjyrë të kuqërremtë (hematuri makroskopike). Por në disa raste, gjaku zbulohet vetëm nëpërmjet analizave laboratorike (hematuri mikroskopike), duke e bërë kontrollin mjekësor të domosdoshëm.
Në kushte normale, urina nuk përmban qeliza të gjakut. Prania e më shumë se dy qelizave për fushë mikroskopi pas analizës së urinës konsiderohet hematuri dhe kërkon vlerësim të mëtejshëm.
Shkaqet më të zakonshme të hematurisë përfshijnë:
Infeksionet e traktit urinar, më të shpeshta tek gratë, për shkak të afërsisë mes uretrës dhe anusit.
Infeksionet e veshkave (pielonefriti), që shkaktojnë inflamacion dhe rrjedhje të gjakut në urinë.
Zmadhimi i prostatës, zakonisht tek burrat mbi 50 vjeç, i cili mund të bllokojë rrjedhën e urinës dhe të shkaktojë gjakderdhje.
Gurët në veshka ose fshikëz, që gjatë kalimit mund të irritojnë traktin urinar dhe të shkaktojnë hematuri të dukshme ose jo.
Në disa raste, hematuria mund të jetë edhe tregues i sëmundjeve më serioze si tumore të veshkave, fshikëzës ose sëmundje të gjakut. Prandaj është e rëndësishme që çdo person që vëren gjak në urinë, apo merr rezultate laboratorike që e tregojnë këtë, të konsultohet me mjekun për një diagnozë të saktë dhe trajtim të duhur.
Kancer. Hematuria mund të jetë gjithashtu një simptomë e kancerit të fshikëzës, prostatës, ose veshkave. Sidoqoftë, ajo tenton të manifestohet në faza të avancuara, duke e bërë diagnozën më të vështirë.
Glomerulonefriti. Është inflamacion i glomerulave, porcione vaskulare që janë pjesë e filtrimit të veshkave. Mund të ndodhë për shkak të diabetit, një infeksioni ose disa sëmundjeve të gjakut, shkruan Living.
Disa ilaçe si antikoagulantët ose anti tumor.
Siç mund ta shihni, hematuria mund të ketë shkaqe të shumta. Mund të ndodhë edhe për shkak të lodhjes fizike të lartë, traumave ose dihidratimit. Për këtë arsye, është e rëndësishme të shkoni tek mjeku dhe t’u nënshtroheni analizave të rekomanduara.
Si manifestohet hematuria?
Hematuria makroskopike (e dukshme) manifestohet me ngjyrë të kuqe ose të errët të urinës. Nuk shoqërohet nga dhimbja, apo simptoma të tjera. Prezenca e simptomave të tjera, mund të ndihmojë në orientimin drejt diagnozës:
• Për shembull, ethet, temperatura dhe dhimbjet e mesit mund të jenë tregues për një infeksion të veshkave.
• Nëse shoqërohet me urinim të shpeshtë apo djegie, mund të jetë tregues i infeksioneve urinare.
• Kur është pa simptoma dhe e vazhdueshme, mund të jetë shkak i tumorit në veshka.
Pas moshës 40 vjeç, për burrat është e domosdoshme t’u nënshtrohen kontrolleve të prostatës.
Është e këshillueshme që t’u nënshtroheni analizave të urinës për të qartësuar arsyet e prezencës së urinës në gjak.
Kujdesi ndaj trupit fillon me vëmendjen ndaj sinjaleve që ai jep. Hematuria është një prej tyre.
