Supermodelet Gigi dhe Bella Hadid kanë zbuluar se kanë një motër nga babai, 23-vjeçaren Aydan Nix. Në një deklaratë për Daily Mail, ato treguan se Aydan është vajza e Mohamed Hadid dhe Terri Hatfield Dull, e lindur pas një romance të shkurtër të Mohamedit, pas divorcit të tij me Yolanda Hadid në vitin 2001.
E rritur në Florida, Aydan mësoi për lidhjen e saj biologjike me familjen Hadid vetëm pas një testi gjenetik që bëri pas vdekjes së njeriut që e kishte njohur si baba.
“Që nga momenti që u njohëm në fund të 2023-shit, e kemi përqafuar me dashuri dhe kemi kaluar kohë së bashku si familje. Si motra, ne kemi bërë biseda shumë të hapura dhe të përzemërta, bashkë me Aydan, sesi ta mbështesim dhe mbrojmë”, u shprehën motrat Hadid.
Vajzat theksuan se Nix dhe familja e saj vlerësojnë privatësinë e tyre dhe kërkuan që ta respektojnë dëshirën dhe të drejtën e saj të anonimatit ndërsa ajo jeton si një vajzë e re në New York.
Sipas Daily Mail, romanca e Mohamed me Dull përfundoi para se ajo të mësonte se ishte shtatzënë. Ai e dinte për ekzistencën e vajzës, me të cilën është i përzemërt dhe i sjellshëm, por nuk e ka mbështetur financiarisht.
