Gjykata e Apelit ka vënë pikën përfundimtare në shkallën e dytë të gjykimit për aksidentin tragjik të nëntorit 2022 në Jashanicë të Klinës, ku humbi jetën kadeti policor F.Sh., duke lënë në fuqi dënimet e shqiptuara ndaj Arton dhe Nezir Durakut.
Sipas vendimit të përpiluar më 4 mars 2026, Apeli ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Pejë, palës së dëmtuar, si dhe të mbrojtjes së të akuzuarve, duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin Arton Duraku është dënuar me dënim unik prej 5 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Nezir Duraku me 10 muaj burgim.
“Refuzohen si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore – DKR në Pejë, përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, av. Salih Mekaj, e të dëmtuarit E.Sh. dhe mbrojtësit të akuzuarit Arton Duraku, av. Shefqet Ibrahimi dhe të akuzuarit Nezir Duraku, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Pejë, PKR.nr.22/2025 i datës 19.11.2025, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”
