Gërvalla në Varshavë: Kosova nuk kërkon vetëm integrim në BE, por edhe kontribuon ndaj projektit evropian

Para 11 muaj

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, po merr pjesë në takimin e përbashkët të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve kandidate në Varshavë, Poloni. Ajo udhëtoi atje me ftesë të Presidencës Polake të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe ministrit të jashtëm polak, Radosław Sikorski.

Në një postim në Facebook, Gërvalla theksoi se Kosova merr pjesë në këtë tryezë me qëndrime të qarta dhe me bindjen se zëri i saj është i pazëvendësueshëm për të ardhmen e rajonit. Ajo nënvizoi se Kosova, si demokracia më e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm që synon integrimin në BE, por edhe kontribuon aktivisht ndaj projektit të përbashkët evropian.

“Republika e Kosovës është dhe mbetet një aleate dhe partnere e besueshme e Bashkimit Evropian, një faktor stabiliteti, sigurie dhe progresi demokratik në rajon dhe më gjerë,” deklaroi Gërvalla.