Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ka reaguar në rrjete sociale pas debatit të sotëm për sjelljen e deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, në Kuvendin e Kosovës.
Duke iu referuar kritikave të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Musliut, Gecaj rikujtoi një incident më të hershëm, kur Gëzim Sveçla – tani deputet dhe atëherë shef i Grupit Parlamentar të VV-së në Asamblenë e Prishtinës – kishte dëmtuar pajisje në sallën e Kuvendit Komunal.
“Sipas këtij standardi, Ganimete Musliut i bie të jetë pacifiste,” shkroi Gecaj, duke ironizuar me sjelljen e atëhershme të Sveçlës, të cilin e quajti “vandal që dëmton pronën publike”.
Ai shtoi se veprime të tilla, dikur të justifikuara nga VV-ja, tani po përdoren si bazë për akuza ndaj opozitës, duke ngritur pyetje për standardet e dyfishta në diskursin politik.
