Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në São Paulo të Brazilit, ku gazetarja Beatriz Casadei, u grabit brutalisht nga një hajdut me biçikletë vetëm pak çaste para se të hynte në transmetim të drejtpërdrejtë për emisionin e mëngjesit Balanço Geral, në televizionin TV Record.
Ngjarja ndodhi pranë objektit të Qendrës së Përkohshme të Ndërmarrjes (CDP) në Pinheiros, teksa Casadei po përgatitej për raportim para kamerës. Gjatë vendosjes në pozicion për të hyrë në “live”, një hajdut i afruar me shpejtësi me biçikletë i rrëmbeu telefonin nga duart, duke e lënë gazetaren të shokuar. E gjithë skena u kap nga kamerat dhe pamjet u bënë virale në rrjetet sociale.
Sipas mediave braziliane, pas incidentit, Casadei shkoi menjëherë në polici për të denoncuar rastin. Fatmirësisht, ajo nuk pësoi lëndime fizike dhe u rikthye në punë të njëjtën ditë.
Ky nuk është rasti i vetëm i tillë në Brazil. Më herët, një tjetër gazetare, Clara Nery, u përball me një tentativë grabitjeje të ngjashme gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë, por arriti ta mbajë telefonin duke e kapur fort.
Rastet e tilla kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë e gazetarëve në terren, sidomos gjatë raportimeve live në zona me kriminalitet të lartë. Shumë organizata mediale kanë filluar të kërkojnë masa shtesë sigurie për stafet e tyre në terren.
