Gazeta gjermane “Bild” ka raportuar për vdekjen e papritur të këngëtarit shqiptar Shpat Kasapi, i cili ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare gjatë një vizite në Bolonja, Itali. Dyshohet për infarkt në zemër, megjithëse rrethanat po hetohen. Këngëtari nuk kishte pasur probleme të njohura shëndetësore.
Menaxhmenti i tij njoftoi në Instagram se humbja e Shpatit është një goditje e madhe dhe se detaje të tjera do të publikohen së shpejti.
Shpat Kasapi ishte një prej emrave më të njohur të pop-muzikës shqiptare që nga fillimi i viteve 2000, me hite si “A më do?”, “Valle Kosovare” dhe “Aroma e saj”. Kënga “Valle Kosovare” ka gati 30 milionë dëgjime në Spotify. Publikimi i tij i fundit ishte “N’dahem Sot” në tetor 2025.
Vdekja e tij ka shkaktuar dhimbje të madhe mes fansave dhe kolegëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilët po shprehin ngushëllimet në rrjetet sociale.
