Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e një mase të përkohshme ndaj Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar si një qëndrim tepër tolerant ndaj, siç tha ajo, “veprimeve adoleshente” të institucionit ligjvënës.
Në një intervistë në emisionin “DPT te Fidani”, Musliu theksoi se kriza në Kuvend nuk është më çështje teknike apo logjistike, por një problem i pastër politik. Ajo kritikoi gjyqtarët kushtetues për qasjen e butë që, sipas saj, nuk ndihmon në vendosjen e rregullit institucional.
“E quaj adoleshencë politike, sepse nuk mund të flasim më për papjekuri apo probleme teknike. Çështja është thellësisht politike. Gjykata Kushtetuese është treguar shumë tolerante dhe është dashur të jetë më e ashpër dhe më detyruese për Kuvendin”, tha Musliu.
Deputetja e PDK-së shtoi se ata që nuk i kuptojnë ose nuk i lexojnë drejt vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të përballen me pasoja më serioze, duke përmendur konkretisht kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Albin Kurtit s’i bie asgjë tamam. Për të, askush nuk kupton dhe askush nuk dinë, dhe askush nuk lexon drejt”, u shpreh ajo.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj Kuvendit ka ngritur debat në skenën politike, ndërsa partitë opozitare po kërkojnë ndërhyrje më të vendosur për të rikthyer funksionalitetin e institucioneve.
