Ganimete Musliu shpërthen ndaj qeverisë Kurti: “Kosova po degradohet për shkak të etjes për pushtet”

Para 11 muaj

Prishtinë – Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale politike në vend, duke akuzuar qeverinë e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje për stagnim, keqqeverisje dhe degradim të institucioneve të Kosovës.

Para seancës së Kuvendit, Musliu deklaroi se situata është bërë e padurueshme dhe u bëri thirrje mediave, qytetarëve dhe opozitës që të mos qëndrojnë më në heshtje.

“Gjendja tanimë po bëhet e padurueshme dhe mediat, qytetarët, e opozita duhet ta ngrisin zërin sepse heshtja e përgjithshme do të thotë pjesëmarrje në faj,” tha Musliu. “Shteti i Kosovës nuk e ka luksin që të tolerojë tutje një stagnim të tillë i cili e ka ngulfat Kosovën, qoftë në zhvillimin ekonomik, qoftë në marrëdhëniet ndërkombëtare.”

Duke kritikuar drejtpërdrejt kryeministrin Albin Kurti, ajo tha se vendi po vuan nga një pushtet i përqendruar në duart e një njeriu të vetëm, që sipas saj, është “i etur për pushtet”.

Musliu shtoi se qytetarët e Kosovës nuk meritojnë këtë lloj qeverisjeje dhe denoncoi rritjen e çmimeve, stagnimin e pagave dhe abuzimin me institucionet përmes emërimeve politike.

“Ju jetoni këtu, po i shiheni çmimet çdo ditë duke u rritur, pagat janë në çdo nivel, shtrenjtimi i rrymës po vazhdon, abuzimi me institucionet e vendit po vazhdon çdo ditë,” theksoi ajo. “Bordet i kanë mbushur me militantë partiakë dhe kanë arritur në shkallën më të lartë të degradimit të shtetit.”

Deputetja e PDK-së përjashtoi çdo mundësi bashkëpunimi me përfaqësues të qeverisë aktuale për pozita kyçe në Kuvend.

“Asnjë kandidat i cili ka qenë në qeverinë Kurti dy nuk do ta merr votën e PDK-së,” përfundoi Musliu.

Reagimi i saj vjen në një kohë tensionesh të shtuara në skenën politike të Kosovës, mes thirrjeve për zgjedhje të parakohshme dhe kritikave për performancën e ekzekutivit aktual.