Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gani Geci, ka deklaruar se një ditë para seancës së parë konstituive të Kuvendit të Kosovës, është kontaktuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, me qëllim që vajza e tij, Marigona Geci, të mbështeste qeverinë e Albin Kurtit.
Në një intervistë në emisionin “Debat Plus”, Geci tregoi se Konjufca i kishte kërkuar të shprehte se çfarë kërkonte në këmbim të votës së vajzës së tij. Ai tha se nuk kishte kërkuar asgjë materiale, por një akt moral nga kryeministri Kurti.
“Me datën 14, një ditë para seancës së parë, më ka thirrë Glauk Konjufca dhe më ka pyetur: ‘Çfarë po kërkon që Marigona Geci ta votojë qeverinë e Albin Kurtit?’ I kam thënë: ‘Unë nuk kërkoj asgjë. Unë nuk e shes votën time, nuk i shes 20 mijë e 500 votat që i ka marrë Marigona Geci në LDK’”, deklaroi Geci.
Ai tha se kërkesa e vetme që kishte pasur ishte që Albin Kurti t’i përgjigjej një letre të dërguar nga vëllai i tij, Halil Geci, dhe të kërkonte falje publike ndaj familjes Geci.
“Unë kërkoj që Kurti t’i përgjigjet letrës së vëllaut tim, Halil Gecit, të datës 9 tetor 2024, dhe të kërkojë falje publike. Sepse Albin Kurti, për familjen Geci, po e luan të njëjtin rol që e ka luajtur Hashim Thaçi për 20 vjet. Dhe për pesë vjet, po e luan po të njëjtin rol Kurti”, tha ai.
Sipas Gecit, nuk ishte hera e parë që ndërmjetës nga Lëvizja Vetëvendosje kanë kontaktuar me të për çështje politike.
Derisa ende nuk ka një reagim nga Glauk Konjufca apo Vetëvendosje për këto pretendime, deklarata e Gecit ka nxitur diskutime të reja mbi marrëdhëniet mes LDK-së dhe VV-së dhe etikën në përpjekjet për sigurimin e votave në Kuvend.
