Fundviti i kuq i politikës kosovare

Para 16 ditë

Shkruan Artë Ramiqi

Gara e subjekteve politike të Kosovës këtë vit jashtë institucioneve ishte e projektuar në dy drejtime. Partia në pushtet përpiqej të prolongonte formimin e institucioneve për shkak të pakënaqësisë nga rezultati i 9 shkurtit, kurse ato të ish-opozitës, të pa koordinuara, për të shkuar në zgjedhje me shpresë për të fituar më shumë, duke përjashtuar çdo mundësi për bashkëqeverisje.

Pushteti shfrytëzoi të gjitha mekanizmat legale dhe jo legale për të mobilizuar masën e vet, kurse ato opozitare, të dehura nga vetëkënaqësia, ushqeheshin me iluzione se fitorja do t’u vijë vetvetiu.

Tre faktorë plus diaspora ishin përcaktues për fitoren e thellë të partisë në pushtet:Heqja e sanksioneve nga Bashkimi Evropian, të cilat vetë i kishte vendosur si masë ndëshkuese për mosbashkëpunim të pushtetit; përfshirja e SHBA-ve në strategjinë kombëtare të mbrojtjes së Kosovës si një interes strategjik; si dhe moskonsolidimi dhe mosartikulimi i partive të ish-opozitës, të cilat nuk përfaqësonin kundërshtarë të denjë.

Të gjitha këto ishin në muajin parazgjedhor, gjë që i shkonte në favor Albin Kurtit.

Diaspora, e etur për patriotizëm të mëvonshëm, me eufori populliste kontribuoi me krijimin e atmosferës, por edhe me votën e drejtpërdrejtë ishte pjesë e fitores së madhe të partisë në pushtet. Fitorja aq e lehtë edhe nuk shkëlqeu aq sa herën e parë tek udhëqësit e partisë në pushtet.

Si duket, me ndërrimin e vitit do të ndryshojë gjithçka. A do të jetë e ardhmja aq e vështirë sa të harrohen meritat e të kaluarës, nëse do të ketë asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca të një Bosnjëzimi të Kosovës, e që do të nxjerrë në pah paaftësinë e shtetndërtimit të Kosovës, me pasoja të mëdha dhe kthim mbrapa, apo lideri popullist do të rezistojë të zbatojë të gjithë marrëveshjet që deri më tani i ka refuzuar dhe që ka ndërtuar kauzën në bazë të kësaj narrative,me orientim nacional-socialist?

Nëse do të jetë shqiponjë edhe mbrenda faktorit kombëtar e ndërkombëtar, atëherë do të jetë lider i përjetshëm i shqiptarëve në përgjithësi. Në bazë të konstelacioneve gjeostrategjike dhe gjeopolitike në rajon e botë, edhe fati i liderit, por edhe i Kosovës, nga nesër, pra në vitin në vijim, do të jetë i qartë dhe vendimtar.

Urojmë vit të suksesshëm edhe për liderin, por më shumë për Kosovën.